Secondary Adv

Objektet e konfiskuara për shkelje të lejes, ligji hap rrugën për legalizimin e njësive të blerësve

Blerësit dhe porositësit e apartamenteve apo njësive të tjera në objekte të konfiskuara për shkelje të lejes së ndërtimit do të mund t'i legalizojnë dhe regjistrojnë pronat e tyre, nëse plotësojnë kushtet ligjore.

Dy ligje të reja, nr. 121/2026 dhe nr. 122/2026, përcaktojnë procedurat e legalizimit dhe zgjerojnë kompetencat për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.


Blerësit dhe porositësit e apartamenteve apo njësive të tjera në objekte të konfiskuara për shkelje të lejes së ndërtimit mund t'i legalizojnë dhe regjistrojnë njësitë e tyre, nëse plotësojnë disa kushte të përcaktuara në ligj.


Sipas dy ligjeve të botuara në Fletoren Zyrtare, procedura zbatohet kur punimet në strukturë kanë përfunduar, blerësit ose porositësit e posedojnë apo e përdorin njësinë dhe kanë lidhur kontratë me investitorin ose zhvilluesin përpara noterit.


Legalizimi i njësive, kushtet që duhet të plotësojnë blerësit

Ligji nr. 121/2026 ia ngarkon verifikimin një grupi pune. Dispozita kërkon që grupi të konstatojë se “janë përfunduar punimet e ndërtimit në strukturë” dhe se njësitë posedohen ose përdoren nga palët e treta që kanë “kontratë të hartuar përpara noterit” me investitorin ose zhvilluesin.


Kur plotësohen këto kushte, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara i kërkon Kadastrës të vijojë me legalizimin.

Regjistrimi bëhet sipas ligjit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë. Megjithatë, procedura nuk i jep automatikisht të drejtën e regjistrimit çdo blerësi në një objekt të sekuestruar.


Ruhet e drejta e parablerjes për objektet e konfiskuara më parë

Për objektet e konfiskuara përpara hyrjes në fuqi të ligjit, ruhet e drejta e parablerjes për subjektet që e kanë fituar sipas legjislacionit të kohës.

Agjencia duhet t'i njoftojë këto subjekte pas regjistrimit të objektit ose të sipërfaqes së konfiskuar.


Zhvilluesit që e kanë ushtruar tashmë këtë të drejtë dhe kanë lidhur marrëveshje me ministrinë përgjegjëse mund të vijojnë me aplikimin për leje ndërtimi ose certifikatë përdorimi.

Kjo është një procedurë e veçantë nga legalizimi i njësive të blerësve dhe porositësve.


Zgjerohen kompetencat për administrimin e pasurive të konfiskuara

Ligji nr. 122/2026 zgjeron administrimin edhe te pasuritë e sekuestruara ose të konfiskuara nga organet administrative qendrore dhe vendore, krahas atyre të marra nga organet e drejtësisë.


Për objektet e konfiskuara si ndërtime pa leje, ligji i referohet legjislacionit të posaçëm dhe parashikon një fond për veprimtarinë ose zhvillimin e objekteve që i kanë kaluar agjencisë.


Shpenzimet për pasuritë e konfiskuara do të ndjekin rregullat e prokurimit publik, ndërsa shpenzimet për administrimin e pasurive nën sekuestro do të mbështeten në studim tregu.


Të dy ligjet do të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, nëpërmjet Qendrës së Botimeve Zyrtare (QBZ).

Burimi: Monitor


Më të lexuarat